Hetimet e SPAK kanë zbardhur detaje tronditëse nga dosja e manipulimit të tenderëve në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku përmes përgjimeve audio, pamjeve filmike dhe komunikimeve elektronike dokumentohet qartë funksionimi i një skeme të organizuar kriminale.

Në një nga bisedat e sekuestruara, Ergys Agasi flet hapur për rritjen artificiale të vlerës së projekteve publike:

“Projekti ishte 2 milionë, ne do ta bëjmë 4.”

Në komunikime të tjera, palët diskutojnë ndarjen e përfitimeve financiare:

“E di sa përqind e xhiroj unë? 30–33 përqind.”

SPAK thekson se këto biseda provojnë se fituesit e tenderëve ishin të paracaktuar, ndërsa procedurat shërbenin vetëm si fasadë formale.

Kërcënime dhe heqje lirie për të bllokuar ankimimet

Dosja përmban edhe biseda që lidhen me presionin ndaj operatorëve ekonomikë që ankimonin tenderët:

“Japësh lekë, t’i bllokojmë këtu.”
“Këtu forca jemi ne, s’ka forcë tjetër.”

Sipas prokurorisë, këto deklarata lidhen drejtpërdrejt me rastet e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kërcënimeve, me qëllim detyrimin e subjekteve që të tërhiqnin ankesat nga Komisioni i Prokurimit Publik.

“Informacioni është më i madh se numrat”

Në një tjetër fragment të dosjes, del qartë ndikimi institucional që grupi pretendonte se kishte:

“Informacioni është gjë shumë më e madhe se sa numrat.”

SPAK e interpreton këtë si përdorim të informacionit të brendshëm për të kontrolluar procedurat dhe për të shmangur çdo rrezik ekspozimi.

Shkresa zyrtare për të mbuluar skemën

Në biseda të tjera përmendet drejtpërdrejt përdorimi i dokumenteve zyrtare për të justifikuar vendimet:

“Do bëjmë një shkresë zyrtare.”
“AKSHI… ekonomia.gov.al.”

Sipas hetuesve, këto komunikime tregojnë se skema kriminale mbështetej edhe nga veprime administrative të mirëstrukturuara.

Frikë nga media dhe drejtësia

Në disa raste, palët shfaqin shqetësim për ekspozimin publik:

“Mos del në televizor…”
“Që të mos dali fjala, se duan t’i plasin mrena…”

Këto citate, sipas SPAK, dëshmojnë vetëdijen e plotë të personave të përfshirë për paligjshmërinë e veprimeve të tyre.

Hetimet vijojnë, ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vlerësuar se provat e administruara deri tani janë të mjaftueshme për caktimin e masave të rënda të sigurisë. Dosja pritet të sjellë zhvillime të reja dhe emra të tjerë në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu