FSHF po i kushton vëmendje projekteve që lidhen me përgjegjësinë sociale. Punimet kanë nisur për ndërtimin e një fushe pranë muzeut “Martin Cani”.

Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon me investimet e rëndësishme infrastrukturore.
Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe projekteve që lidhen me përgjegjësinë sociale.

Pranë muzeut “Martin Cani”, ka nisur tashmë të realizohet një mini-fushë futbolli.

Ky investim mbart një domethënie të veçantë, pasi lidhet me kujtimin e Martin Canit, i cili humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në nëntor të vitit 2024, ngjarje që preku mbarë opinionin publik shqiptar.

Përmes këtij projekti, FSHF synon jo vetëm të ruajë kujtimin e Martin Canit, por edhe të promovojë vlerat e sportit, edukimit dhe solidaritetit, si mjete të rëndësishme për ndërgjegjësimin e brezave të rinj.

Në përurimin e nisjes së punimeve ishin të pranishëm specialistja e Departamentit të Projekteve, Pamela Ndocaj, dhe prindërit e Martinit, Angel dhe Florina Cani.

“Ndërtimi i mini-fushës në muzeun ‘Martin Cani’, është një përpjekje për të ndërthurur kujtimin, edukimin dhe sportin brenda të njëjtit ambient. Ne jemi të bindur se futbolli ka fuqinë që të bashkojë gjeneratat e reja, që të nxisë përkushtim dhe respekt, dhe punimet që filluan ditën e sotme janë një hap konkret drejt këtij qëllimi”, u shpreh Pamela Ndocaj, Specialiste në FSHF.

Florina Cani, nëna e Martinit, falënderoi FSHF-në duke thënë se fusha e re do të kujtojë gjithmonë djalin e saj dhe ëndrrat e tij.

“Martini kishte shumë ëndrra. Ai donte që të bëhej si Ronaldo, luante gjithmonë tek fusha. Çdo fëmijë që do vijë tek ajo fushë dhe çdo top që do rrotullohet, të kujtojë Martinin”, tha Florina Cani.

Ky projekt është pjesë e nismave të vazhdueshme të FSHF-së për të kontribuar në komunitet përmes investimeve që promovojnë vlera humane dhe zhvillimin e sportit në shërbim të shoqërisë./ Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu