Pas një viti prodhimtarie të dobët, sivjet pritet të vilet sasi e lartë ulliri për prodhim vaji.
Në zonën e Elbasanit, për shkak të temperaturave të larta dhe pjekjes më të shpejtë,
fermerët do të nisin vjeljen e ullirit që nga 10 apo 15 tetori.
Agron Çakalli, administratori i Federatës Bujqësore Elbasan (F.B.E) e cili mbledh për
përpunim prodhimin e 125 fermerëve të zonës së Elbasanit, tha për “Monitor” se sasia e
ullirit të grumbulluar për prodhimin e vajit pritet të jetë dyfish më e lartë se vitin e kaluar.
Çakalli pohon se shtimi i prodhimit është ndikuar nga mosrënia e sëmundjeve, siç është
sëmundja e mizës së ullirit që prek më së shumti bimën, nga rritja e shërbimit të fermerëve
dhe shirat e stinës së vjeshtës.
Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2017 u prodhuan 117,6 mijë ton ullinj. Krahasuar me
2022, sasia e prodhuar e ullinjve ra rreth 26%.
Rënia e prodhimit të ullirit, pakësoi edhe prodhimin e vajit të ullirit. Sipas fermerëve vjet u
prodhua gati 40% më pak vaj ulliri se viti paraardhës. Për 2023, mungesa e prodhimit ka
dyfishuar çmimin e shitjes së vajit të ullirit krahasuar me 2022 Fermerët e tregtuan vajin e
ullirit me çmim nga 600, 700 deri 800 lekë për litër.
Sivjet shtimi i prodhimit të ullirit, sipas fabrikave përpunuese pritet të rrisë automatikisht
prodhimin e vajit të ullirit. Por mbiprodhimi nuk pritet të sjellë rënie të lartë të çmimit, pasi
për vajin e ullirit vendas ka rritje të kërkesës për eksport. Fabrikat e përpunimit kanë nisur
diskutimin e kontratave me sipërmarrës nga Italia për eksportin e vajit.
“Nëse vjet vajin e prodhuar, të paambalazhuar e shitëm 700 lekë për litër nga mungesa e
prodhimit, sivjet çmimi pritet të arrijë deri në 600 lekë për litër për shkak të mbiprodhimit.
Nuk presim që çmimi të bjerë nën vlerën e 600 lekëve, pasi ka një kërkesë të lartë për
eksport.
Sivjet në shtetet si Itali, Greqi apo Spanjë prodhimi nuk pritet të jetë i mbarë nga
temperaturat e larta.
Ndërkohë ka nisur kërkesa për eksportin e vajit në Itali. Kontrata pritet të finalizohen me
analizimin e mostrave me prodhimin e vajit të ullirit”, pohoi drejtuesi i Federatës Bujqësore
së Elbasanit.
Prej vitesh tashmë 60% e sasisë së vajit të prodhuar nga F.B.E eksportohet, ndërsa pjesa
e mbetur shitet në dyqane të vogla ushqimore, restorante dhe supermarkete. Nga ekspertët e prodhuesit është paralajmëruar se karakteristikë për pemën e ullirit është
periodiciteti i prodhimtarisë. Faktorë të tjerë që ndikojnë te shtimi i prodhimit janë edhe
kushtet klimaterike dhe kryerja e shërbimeve./Monitor

yacht hotel sarande

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu