
Ambasada shqiptare në Greqi ka njoftuar se pikat e kompanisë postare DHL në Athinë dhe Pire do të funksionojnë me orar të zgjatur. Ky njoftim vjen pas ankesave të shumta për problematika lidhur me shpërndarjen e zarfeve me materialet zgjedhore për votuesit jashtë vendit, shumë prej të cilave të raportuara në Greqi.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se duke filluar nga sot, 30 Prill, disa pika të kompanisë postare do të jenë të hapura me orar të zgjatur, nga ora 09:00-18:00.
Sipas të dhënave të deritanishme, në Greqi janë dërguar 68 380 zarfe ( 27.8%) me materialet zgjedhore, ndërsa kanë mbërritur në KQZ 7 826 (3.2%).
Partitë politike, PS dhe PD kanë shprehur shqetësimin e tyre në KQZ lidhur me administrimin e procesit të votimit jashtë vendit. PD, në një ankesë të depozituar një ditë më parë, theksonte se disa raste zarfet me materialet zgjedhore nuk janë dorëzuar personalisht tek votuesit, por janë marrë nga persona të tjerë, pa u kryer verifikimi i identitetit dhe pa firmë nga zgjedhësit. PD theksonte edhe disa raste të ndodhura në Greqi, ku persona të ndryshëm thuhet se kanë tërhequr zarfet për të gjithë votuesit e zonës, në emër të një subjekti politik.
Edhe PS, në ankesën e saj të depozituar më 24 Prill, theksonte disa raste, kryesisht në Greqi dhe Itali, ku kompania postare nuk ka respektuar protokollet duke krijuar vështirësi në komunikimin me postën. Një tjetër problematikë që parashtronte PS ishte edhe mungesa e fletëve të votimit në zarfet që u janë dërguar shqiptarëve./shqiptarja