
Prizren – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit në Prizren, ku një 30-vjeçar dyshohet se ka rrahur për vdekje nënën e tij, me të cilën jetonte i vetëm.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima ka pësuar lëndime në pjesën e kokës, ndërsa nga këqyrja e vendngjarjes nuk është gjetur asnjë mjet i fortë apo i mprehtë që të lidhej me kryerjen e veprës.

“Gjatë ekzaminimit të shtëpisë nuk është gjetur ndonjë mjet i përdorur. Në bazë të shikimit vizual dhe njoftimeve fillestare, lëndimet dyshohet se janë shkaktuar fizikisht, me forcë trupore”, ka deklaruar Faton Alija, komandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit.
Ai ka shtuar se i dyshuari kishte dokumentacion mjekësor, që dëshmon se kishte qenë nën përkujdesje mjekësore për probleme shëndetësore.
I njohur për organet e drejtësisë
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka bërë të ditur se 30-vjeçari, me inicialet F.B., ishte i njohur për organet e rendit dhe kishte tre aktakuza të mëparshme për dhunë në familje – dy në vitin 2021 dhe një në vitin 2024.
- Në rastin e parë, ndaj tij ishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
- Në rastin e dytë, ishte caktuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik në liri, i monitoruar nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren.
- Në rastin e tretë, ai ishte dënuar me 6 muaj burg për “lëndim të lehtë trupor”, dënim që më pas iu zëvendësua me gjobë prej 2 mijë eurosh, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Thirrje për rishikim të trajtimit institucional
Psikologu Dr. Erëblir Kadriu ka theksuar se raste të tilla tregojnë nevojën për ndryshim të qasjes institucionale ndaj personave me probleme të shëndetit mendor.
“Ka nevojë për mbështetje më të madhe, mbikëqyrje profesionale dhe ndihmë cilësore. Numri i rasteve është në rritje dhe është e domosdoshme të sigurohet mirëqenia e këtyre personave, por edhe e familjarëve që jetojnë me ta”, është shprehur Kadriu.
Prokuroria Themelore e Prizrenit nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.






