
Princi i Uellsit, William, ka sjellë djalin e tij 12-vjeçar, Princ George, në një strehë për të pastrehët në Londër, për ta mësuar mbi realitetin e jetës jashtë pallatit dhe për të parë nga afër punën e organizatave që ndihmojnë më të varfrit.
Vizita u zhvillua në qendrën bamirëse The Passage në Westminster, një vend me lidhje të veçantë për William, pasi aty ishte sjellë për herë të parë nga nëna e tij, Princesha Diana, kur ishte vetëm 11 vjeç.
Një moment i veçantë ndodhi kur George firmosi librin e vizitorëve në të njëjtën faqe ku gjenden nënshkrimet e babait të tij dhe gjyshes Diana, të datës dhjetor 1993.

Mick Clarke, drejtori ekzekutiv i The Passage, tha se George ndihmoi në përgatitjen e drekës së Krishtlindjes për 150 persona. “Ai ishte gati të përveshte mëngët dhe të ndihmonte, ashtu si babai i tij. Një fëmijë i mrekullueshëm, shumë i interesuar për punën tonë dhe për bisedat me njerëzit që kanë përdorur shërbimet tona,” u shpreh Clarke.
Gjatë vizitës, William përgatiste lakrat, ndërsa George ndihmonte me pudingun tradicional Yorkshire. Clarke e përshkroi nënshkrimin pranë emrit të Dianës si një “moment të bukur e simbolik, që e bënte vizitën të ndjehej si një rreth i mbyllur – nga 1993 deri në 2025”.
Vizita e tyre në strehën e të pastrehëve përkoi me ditën e drekës tradicionale të Krishtlindjes së Familjes Mbretërore në Pallatin Buckingham, duke sjellë një kontrast të fortë mes luksit dhe përkushtimit për më të varfrit.






