
Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku pika kryesore e diskutimit ishte prezantimi i Projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, nga Ministri i Financave, Petrit Malaj.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj theksoi se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është “kontrata e qeverisë me qytetarët”, e cila synon zhvillimin e qëndrueshëm, ruajtjen e ekuilibrave financiarë dhe rritjen e standardit të jetesës.
Sipas tij, projektbuxheti parashikon 886.7 miliardë lekë shpenzime publike, me fokus te mirëqenia sociale, investimet infrastrukturore, digjitalizimi, energjia e gjelbër dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Ministri njoftoi rritje të pensioneve dhe paga minimale, si dhe indeksim të pagave në administratë një herë në dy vjet, për herë të parë.
“Ky projektbuxhet është një hap i fortë përpara në zbatimin e Programit të Qeverisë 2025-2029 dhe afron më shumë Shqipërinë me BE-në,” – deklaroi Malaj.
Ai shtoi se kostoja totale për rritjen e pagës minimale dhe indeksimin kap rreth 10 miliardë lekë, duke prekur mbi 144 mijë punonjës në nivel qendror dhe vendor.
Çështjet e tjera në rendin e ditës
- Projektkalendarët e shqyrtimit të buxhetit dhe punimeve të Kuvendit nuk morën dakordësi, duke kaluar për votim në seancë plenare.
- U diskutua kërkesa e deputetëve të PD për ngritjen e një komisioni hetimor për administrimin e fondeve IPARD II, por sërish nuk u arrit dakordësi, duke kaluar në seancë.
- Kërkesa për mocion me debat mbi raportin OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit do të zhvillohet në seancën plenare të 11 dhjetorit 2025.
- Mocioni për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri do të bashkohet me diskutimet në fillim të sesionit të ardhshëm.
- Për shkarkimin e Presidentit të Republikës, u vendos që debati të zgjasë 150 minuta.
- Po ashtu, 150 minuta debat u miratua për secilin raportim të institucioneve të pavarura në seancën e datës 6 nëntor 2025.
Mbledhja u mbyll pa arritur dakordësi për disa prej pikave kryesore, duke ia kaluar vendimmarrjen seancës plenare të Kuvendit.







