
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri u prezantua sot libri “Lidershipit” i Henry Kissinger, një prej figurave më të shquara të politikës botërore, tashmë në shqip përmes botimit të “MediaUnion”.
Libri sjell gjashtë rrëfime mbi udhëheqës të mëdhenj të shekullit XX dhe konsiderohet një testament intelektual i autorit, i shkruar në moshën 99-vjeçare.
Kryeministri Edi Rama, i cili ka shkruar parathënien e librit, moderoi diskutimin e panelit me gazetarë, studiues dhe personalitete të politikës europiane, mes tyre edhe ish-kryeministri italian Massimo D’Alema.
Rama e cilësoi librin “një vepër të jashtëzakonshme, tërheqëse edhe për ata që nuk ndjekin politikën”, duke vlerësuar përkthimin si “të shëndetshëm dhe autentik”. Ai solli në vëmendje edhe momentet kulmore të librit, përfshirë hyrjen dhe përfundimin ku Kissinger shpreh shqetësimet për sfidat morale dhe mungesën e lidershipit me vizion afatgjatë në botën e sotme.
Në fjalën e tij, D’Alema ndau impresione mbi trashëgiminë intelektuale të Kissingrit dhe rëndësinë e reflektimeve të tij për brezat e ardhshëm të udhëheqësve.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe kapitullit mbi Kinën, ku Kissinger dhe Nixon hartuan strategjinë historike të afrimit me Pekinin, duke hedhur bazat e “ambiguitetit strategjik” për çështjen e Tajvanit. Rama theksoi se ky është një shembull i vizionit afatgjatë që mungon në politikën e sotme ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e shtëpisë botuese nënvizuan se “Lidershipit” është shkruar si një reflektim i fundit i Kissinger mbi figurat që ndryshuan botën, duke e konsideruar librin një thesar të çmuar për lexuesin shqiptar.