Kryeministri Edi Rama po prezanton Operatorin Kombëtar të Ujit. Rama gjatë fjalës së tij nënvizoi se nuk ka më kohë për të humbur dhe se është me shumë rëndësi që të krijohet një strukturë e re kombëtare me fokus menaxhimin e të gjitha burimeve ujore në vend, për të garantuar një efikasitet më të lartë të sektorit dhe shërbim cilësor për të gjithë abonentët.

“Dua të ndajmë me publikun një hap të rëndësishëm që duam të hedhim së shpejti lidhur me krijimin e operatorit kombëtar të shpërndarjes së ujit. Kemi pasur një trashëgimi dramatike në sektorin e ujit që kërkon investime dhe administrim të përgjegjshëm dhe në këto vite kemi bërë investime të mëdha dhe kemi rritur përgjegjshmërinë e administrimit. Por jemi të bindur dhe duke parë ecurinë e një reforme që u ndërmor pasa ca vitesh që nuk kemi arsye të humbasim kohë dhe të besojmë në një zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje që na është sugjeruar edhe vite më parë. Fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte katastrofë”, tha ai.

Kryeministri Rama  tha se aktualisht kemi një panoramë krejtësisht ndryshe të furnizimit 24 orë me ujë, nga 4 zona që ishin në 2013. Rama tha se duhet më shumë punë, duke pasur parasysh edhe sfidën që vendi ka para, në kushtet kur kërkon të shkëlqejë në turizëm. Kreu i qeverisë kritikoi edhe pushtetin vendor.

“Ndërkohë që paralelisht ne nga ana jonë, kemi bërë investime masive. Nga 4 zona që furnizoheshim me ujë 24 orë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonin afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por është ndryshe në raport me atë që ishte, jo në raport me sfidën që kemi, aq më tepër në kushtet kur duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë, posaçërisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse, ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama kritikoi mënyrën e menaxhimit të Ujësjellësit të Vlorës duke e vlerësuar si të frikshme. Sipas tij, borxhet e akumuluara nga ndërmarrjet në rang vendi, që i cilësoi si “çeta”, arritën në 13.6 miliardë euro në vitin 2020. Këto shoqëri, shtoi kreu i qeverisë, i reduktuan në 15 shoqëri rajonale.

“Raporti i bërë nga ekipi për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm. Solla rastin konkret duke qenë se flasim për një nga pikat më atraktive dhe më të ngarkuara nga turizmi. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë euro. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe. Në 2021, ndërmorëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të kompanive dhe nga 58 shoqëri, 58 çeta, ne krijuam 15 shoqëri rajonale. Qëllimi ishte të përmirësohej performanca dhe të rritej përgjegjshmëria në administrim dhe sot kemi rezultate domethënëse, që na tregojnë një gjë që përgjigjja ndaj kësaj sfide është bashkimi dhe jo copëzimi. Njerëzit nuk pinë decentralizim në rubitet, por ujë. Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Hap i jashtëzakonshëm padiskutim.”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se pikat e kuqe sa i përket investime për ujin duhen kthyer në jeshile.

“Kemi shumë pika të kuqe për t’i kthyer në jeshile sa i përket investimit dhe përfshirjes të çdo sektori në botën e re të teknologjisë, edhe tek uji. Në fund fare dua të them që hyrja në BE kërkon që ne të arrijmë në 2030 një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë sa i përket standarteve të BE. Është e mundshme por kërkon reforma, masa dhe përgjegjshmëri në administrim. Siç tregoi rasti i Vlorës, ne kemi burime njerëzore cilësore dhe njerëz të ditur, të zotë e të aftë këtu në qendër që natyrisht së bashku me njerëz të ditur e të aftë në pika të ndryshme të territoreve. Drejtori aktual vjen nga eksperienca e të qenit drejtor në një territor në veri, do të jenë në gjendje të krijojnë bërthamën e qëndrueshme dhe të shëndetshme të Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit dhe më pas shpërndarjes e furnizimit”, tha Rama.

Faza e dytë e reformës së ujit do të shoqërohet edhe me një plan masash për abuzuesit, tha kryeministri Edi Rama teksa prezantoi Operatorin Kombëtar të Ujit. Kreu i qeverisë tha se do të ndërhyhet me plan masash për të ndalur abuzimet, që kryesisht janë për qëllime fitimi, si lavazhe. Kështu tha kreu ii qeverisë, qytetarët që nuk abuzojnë do të marrin shërbim të drejtë.

“Uji në qiell është diçka tjetër dhe në rubinet diçka tjetër. Në momentin kur futet në sistem, kthehet nga prodhimi i natyrës, në prodhim i njeriut. Është mall që grumbullohet, që shpërndahet, që shitet dhe blihet, është mall jetik dhe prodhimi i ujit kërkon operim Kombëtar. Kështu që për këtë arsye nisim këtë fazë të dytë të reformës, ndërkohë që po u them një gjë, nga faza e parë janë lidhur në rrejt 100 mijë përdorues të rinj. Dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme, por sa i përket reformës jemi të qartë se çfarë do të bëjmë. Nga prodhimi, tek shpërndarja, furnizimi, njësoj siç bëjmë me energjinë, por njësoj sic kemi bërë me energjinë, do të ndërhyjmë me një plan masash, për të ndaluar abuzimet. Ndryshe nga energjia, këtu nuk jemi në kushtet, që kemi qytetarët që abuzojnë, këtu jemi në kushtet që kemi abuzues për qëllime fitime, abuzues me lavazhe nëpër lagje, me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme, kemi abuzues me lidhje të paligjshme nëntokë, që do të jenë target i planit të masave, në mënyrë që shumica e qytetarëve që nuk abuzojnë dhe që paguajnë, të marrin shërbim të drejtë”, tha Rama.
Teksa prezantoi Operatorin Kombëtar për Prodhimin e Ujit, kryeministri Edi Rama tha se shumë shpejt do të nisin edhe me planin për heqjen e depozitave nga pallatet.

“Kjo është dhe koha për të nisur me planin e heqjes së depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate të ndërtuara ku e ku më parë dhe që largqoftë mund të bëhen dhe burim katastrofash./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu