Uashington / Vatikan, 7 maj 2025 – Presidenti Donald Trump ka uruar Papën e ri amerikan, Robert Prevost, i cili mori emrin Papa Leon XIV, pavarësisht kritikave që ky i fundit kishte bërë ndaj administratës së tij dhe politikave për emigracionin.

“Urime Kardinalit Robert Francis Prevost për zgjedhjen si Papë. Është një nder i madh që ai është Papa i parë amerikan. Çfarë emocioni dhe çfarë nderi për vendin tonë. Pres me padurim ta takoj Papën Leo XIV. Do të jetë një moment shumë domethënës!”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Prevost, 69 vjeç, i lindur në Çikago dhe me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe peruane, u zgjodh Papa i ri pasi mori më shumë se dy të tretat e votave nga kardinalët, duke pasuar Papën Françesku, i cili ndërroi jetë javën e kaluar. Besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit shpërthyen në brohoritje dhe valëvitën flamuj nga e gjithë bota kur u shpall lajmi.

Megjithëse shumë vëzhgues prisnin që pas vdekjes së Papës argjentinas të zgjidhej një pasardhës europian, Prevost – Prefekti i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe një figurë e njohur në Amerikën Latine – shihej si një kandidat i fortë nga Amerika.

Kritikat e Papës së ri ndaj Trump dhe administratës së tij

Para se të zgjidhej Papë, Prevost kishte bërë disa postime kritike në platformën X ndaj politikave të imigracionit të administratës Trump. Një prej mesazheve që ai kishte ripostuar shkruante:

“Nuk ka asgjë të krishterë, amerikane apo moralisht të mbrojtshme në një politikë që ndan fëmijët nga prindërit dhe i fut në kafaze. Kjo po ndodh në emrin tonë dhe turpi bie mbi ne të gjithë.”

Në një tjetër postim të fundit, Prevost vinte në dyshim nëse Trump dhe administrata e tij “shihnin vuajtjet” e shkaktuara nga këto politika. Ai kishte ripostuar një mesazh që shkruante:

“Ndërsa Trump dhe Bukele qeshin në Zyrën Ovale për dëbimin e paligjshëm të një banori amerikan, që dikur ishte emigrant i parregullt nga El Salvadori, një ipeshkëv ndihmës pyet: ‘A nuk i shihni vuajtjet? Nuk ju shqetëson ndërgjegjja? Si mund të qëndroni të heshtur?’”

Papa Leo XIV gjithashtu kishte shpërndarë një editorial të National Catholic Reporter me titull:

“JD Vance gabon: Jezusi nuk na kërkon të rendisim dashurinë për të tjerët,”si reagim ndaj deklaratave të Zëvendëspresidentit JD Vance, i cili kishte thënë në një intervistë se “ka një koncept të krishterë që e vendos dashurinë për familjen të parën, pastaj për fqinjët, komunitetin dhe qytetarët e tu, dhe pastaj për pjesën tjetër të botës.”

Ky qëndrim i Vance kishte ngjallur kritika nga shumë të krishterë, përfshirë edhe Papën e ri, i cili e kishte shpërndarë editorialin që e cilësonte këtë interpretim si të gabuar.

Pavarësisht kritikave të mëparshme, Presidenti Trump ka zgjedhur ta urojë publikisht Papën Leo XIV, duke e cilësuar zgjedhjen e tij si një “nder të madh” për Shtetet e Bashkuara.

Në një pikë Trump kishte të drejtë kur parashikoi padashje se papa do të ishte amerikan dhe vuri veten nën petkat papnore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu