Ministri i Shtetit, Taulant Balla ka pritur sot Endrit Thaçin, djalin e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në një postim në rrjetet sociale, Balla ndau me ndjekësit një mesazh që Endrit Thaçi kishte sjellë nga Haga.

“Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në Tiranë Endrit Thaçin, djalin e Presidentit Hashim Thaçi, i cili më solli nga Haga përgëzimet për zgjedhjet dhe haberin e mirë se Presidenti Thaçi është i fortë, krenar si gjithmonë për epopenë e lavdishme të UÇK dhe popullit të Kosovës”, shkruan Balla.

Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me kohën kur ka shërbyer si komandant politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtari për të cilën në Kosovë dhe Shqipëri gëzon mbështetje të gjerë si një nga figurat kyçe të pavarësisë.

Vizita e djalit të tij në Tiranë dhe mesazhi i përcjellë nga Taulant Balla vjen një ditë pasi në Hagë, Thaçit dhe ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së, të arrestuar që prej vitit 2020, iu zgjat paraburgimi dhe me dy muaj. Përkrahja ndaj Thaçit shfaqet shpesh publikisht nga liderët shqiptarë si akt simbolik i unitetit kombëtar rreth një lufte të drejtë të Kosovës për liri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu