Nesër [23 Shkurt] në Shqipëri do të ketë një vizitë speciale. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama, i cili thotë se do të zbresë për herë të parë në Tiranë si president i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

“Një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një mik shumë i dashur i imi personalisht”, tha Rama në rrjetet sociale.

Sipas kreut të qeverisë, vizita e presidentit të Emirateve shënjon një gur shumë të rëndësishëm kilometrik në rrugën e një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë në vitet e fundit.

Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për rindërtimin pas tërmetit në Durrës dhe lagja e re e rindërtimit në Spitallë është financuar e gjitha prej tij.

Sipas Ramës, ai nxiti po ashtu marrëveshjen për portin turistik të Durrësit si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike.

“Do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe shtet i pavarur nga ana energjetike në gjithë rajonin. Me mbështetjen e presidentit Bin Zayed, KESH-i ynë dhe kompania e ekselencës Masdar Group kanë hyrë në rrugën e bashkimit me një plan tejet ambicioz në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së gjelbër”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Një tjetër vlerë e shtuar e bashkëpunimit strategjik, sipas Ramës, është programi i monitorimit të rrugëve dhe shkollave me teknologjinë më të lartë si dhe krijimi i kompanisë së përbashkët të letrave me vlerë.

“Miku ynë i çmuar vjen nesër me një delegacion të nivelit më të lartë për të vendosur të tjera piketa në rrugën e një partneriteti që bazohet tek interesat e përbashkëta, por ushqehet nga një miqësi shumë e sinqertë shtetërore, por edhe personale. Jam shumë krenar që Shqipëria sot mikpret miq si sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan, diçka që deri pak vite më parë as nuk mund të imagjinohej”, u shpreh Rama./tvklan.al

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu