Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të programit të Lotarisë Amerikane për Green Card (Diversity Visa), pas një sulmi të armatosur të ndodhur javën e kaluar në Universitetin Brown, ku humbën jetën dy persona. Sipas BBC, i dyshuari kryesor, një shtetas portugez i identifikuar si Claudio Neves Valente, 48 vjeç, kishte hyrë në SHBA në vitin 2017 përmes programit të vizave të diversitetit dhe kishte përfituar kartën e gjelbër. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se pezullimi është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Trump, me arsyetimin për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të parandaluar rreziqe të mëtejshme për qytetarët amerikanë. Autoritetet amerikane dyshojnë gjithashtu se i njëjti person ka vrarë më herët gjatë javës profesorin portugez të MIT-it, Nuno Loureiro. Programi i Lotarisë së Green Card u jep çdo vit deri në 50 mijë viza shtetasve nga vende me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, ndërsa Trump ka qenë kritik i këtij programi edhe më parë, duke kërkuar shfuqizimin e tij që në vitin 2017 pas sulmit terrorist me kamion në Nju Jork.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu