Presidenti Joe Biden bëri thirrje të premten për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizioni i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-Presidentit Donald Trump. Komentet e zotit Biden vijnë përballë trysnisë së demokratëve në nivelet më të larta, që po kërkojnë nga ai të largohet nga gara presidenciale dhe të hapë rrugë për emërimin e një kandidati të ri.
Ndërsa më shumë ligjvënës dhe senatorë demokratë iu bashkuan zërave kundërshtarë të premten, ka arritur në rreth 36 numri i të zgjedhurve demokratë në Kongres që duan që zoti Biden të tërhiqet pas paraqitjes së dobët në debatin me zotin Trump.
Gjatë orëve të vona të së premtes, senatori demokrat nga Ohajo, Sherrod Brown iu bashkua thirrjeve për tërheqjen e presidentit Biden nga kandidimi.
Senatori Brown u shpreh në një deklaratë se ai është dakort me shumë banorë të Ohajos që e kanë kontaktuar. “Mendoj se presidenti duhet t’i japë fund fushatës së tij elektorale”, tha senatori demokrat që përballet këtë vit me një kandidim të vështirë për rizgjedhjen e tij.
Pak më vonë, ligjvënësi demokrat nga Kentaki, Morgan McGarvey gjithashtu i bëri thirrje presidentit të tërhiqet, duke deklaruar se “nuk ka gëzim në pranimin se ai nuk duhet të jetë kandidati ynë në nëntor. Por, çfarë do të vendoset nga këto zgjedhje është tepër e rëndësishme”.
Presidenti Biden ndodhet i izoluar në shtëpinë e tij të pushimit në Dellauer, pas infektimit me COVID-19, por ai tha se java tjetër do ta gjejë atë në fushatë.
Presidenti, i cili këmbëngul se mund ta mundë kandidatin republikan Donald Trump, po konsultohet me familjen dhe po mbështetet tek disa këshilltarë të tij të besueshëm, ndërkohë që po përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për ta larguar nga gara.
Në një deklaratë të premten, zoti Biden tha se fjalimi i zotit Trump në Kuvendin Kombëtar Republikan, shpalosi “një vizion të errët për të ardhmen”. Presidenti, që po përpiqet ta spostojë bisedën politike nga e ardhmja e tij tek axhenda e kundërshtarit të tij, tha se kishte në plan t’i rikthehej fushatës javën e ardhshme. Ai këmbënguli se pavarësisht shqetësimeve të disa zyrtarëve të partisë, ai mund t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit.
“Bashkarisht, ne mundemi dhe do ta mposhtim atë tek kutia e votimit”, deklaroi zoti Biden. “Rreziku është i lartë dhe zgjidhja është e qartë. Së bashku, do të fitojmë”.
Gjithashtu, nënpresidentja Kamala Harris siguroi të premten mbështetësit kryesorë financiarë demokratë se Partia Demokrate do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale, ndërkohë që shtohej numri i ligjvënësve demokratë që kërkonin tërheqjen e presidentit./VOA