
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka firmosur dekretin për lirimin nga detyra të Besiana Kadaresë, e cila mbante postin e Ambasadores së Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Shqipërisë pranë UNESCO-s.
Në dokumentin zyrtar thuhet:
“Zonja Besiana Kadare lirohet nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.”
Kadare, vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ishte emëruar në këtë post në vitin 2021 me dekret të ish-presidentit Ilir Meta. Ajo ka pasur një karrierë të gjatë diplomatike dhe ndërkombëtare, si një ndër figurat më të spikatura në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën globale.
Një karrierë e pasur diplomatike
E lindur në Tiranë dhe e diplomuar në Sorbonë (Paris IV), Kadare ka ndjekur studime të thelluara në Letërsi Moderne dhe Krahasuese. Ajo ka nisur punën në Francë në sektorin e teknologjisë së informacionit, përpara se t’i bashkohej Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në vitin 2002.
Në vijim të karrierës, ajo ka mbajtur pozicione kyçe, si:
Sekretare e Parë në Misionin e Shqipërisë në OKB, Nju Jork (2002)
Menaxhere projekti në USAID Shqipëri për çështje të trafikimit (2005)
Diplomate në Ambasadën shqiptare në Francë (2008)
Ambasadore dhe Delegate e Përhershme në UNESCO (2011–2016)
Përfaqësuese e Përhershme e Shqipërisë në OKB dhe Ambasadore në Kubë (2016)
Drejtuese e fushatës që çoi Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (2022–2023)
Zëvendëspresidente e Bordit Ekzekutiv të UNDP/UNFPA/UNOPS (2018–2019)
Zëvendëspresidente e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (2020–2021)
Që nga nëntori i vitit 2021, ajo ishte rikthyer në Paris si ambasadore dhe delegate e përhershme pranë UNESCO-s, detyrë që e mbajti deri para dy ditësh, kur u shkarkua nga presidenti Begaj.
Shkarkimi i saj vjen në një kohë kur Shqipëria ka qenë aktive në përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes platformave ndërkombëtare si UNESCO.