
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas nismës së Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e tij nga detyra.
Në një njoftim për mediat, Presidenca thekson se Kreu i Shtetit nuk komenton nismat politike të asnjërës palë, pasi kjo nuk përputhet me neutralitetin e funksionit kushtetues që ai ushtron.
“Presidenti i Republikës ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik”, thuhet në reagim.
Begaj nënvizon se respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato mbajnë qëndrime të kundërta me qëndrimet e tij, ndërsa shton se procedura për shkarkimin e Presidentit është një instrument kushtetues që Parlamenti ka të drejtë ta ushtrojë sa herë e gjykon të përligjur.
“Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet Parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë”, theksohet më tej.
Në fund, Kreu i Shtetit vëren se grupi parlamentar i PD-së ka promovuar nismën e tij duke publikuar pretendime që, sipas tij, “nuk janë të vërteta”, ndërsa shpreh pritshmërinë që Parlamenti të hetojë me profesionalizëm dhe transparencë, “jo si detyrim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit, por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit publik”.