
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehur për një hetim të regjistruar në mars 2020 për korrupsion zgjedhor. Bëhet fjalë për zgjedhjet e 2019, ku 3 ish-zyrtarët e pandehur bashkë premtonin leje legalizimi në zonën e Saukut në Tiranë, si edhe punësime në këmbim të votës për PS.
SPAK në një deklaratë për mediat, njofton se është marrë i pandehur Dritan Stoka, asokohe zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re në Sauk, Alqi Hajdinin, ish-jurist dhe sekseri Ylli Baruti. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, SPAK thotë se kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.
Ata u zbuluan pas përgjimeve, përmes së cilave SPAK thotë se ka faktuar që në këmbim të parave kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të të paktën 4 personave.
“Nga bisedat e përgjuara, të përfshira në fashikullin e procedimin penal ka rezultuar se përmes veprimeve të tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të përfitimeve të parregullta kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Për personat e pandehur Alqi Hajdini, i cili në kohën e kryerjes së veprimeve mbante detyrën si jurist i ALUIZNI Tirana Jug dhe më pas ASHK Tirana Jug dhe shtetasi Ylli Baruti, në rolin e ndërmjetësit, kanë konsumuar elementët e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodi Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021), pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit të drejtpërdrejtë të përfitimeve të parregullta apo shpërblim në te holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.”, njofton SPAK.
Të pandehur
Dritan Stoka, zyrtar i Kadastrës, akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”
Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re në Sauk, akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje.
Alqi Hajdini, ish jurist i ALUIZNI-t, akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” i kryer në bashkëpunim
Ylli Baruti, akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 7 Prill ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë procedimin penal nr. 100 të vitit 2020*.
Çështja penale është në ngarkim të të pandehurve Dritan Stoka. Agim Osma, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 259, 244 dhe 245, paragrafi parë i K.Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar plotësisht e provuar se personat e pandehur; Dritan Stoka, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk Tiranë kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, pasi kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale për zgjedhjeve vendore të vitit 2019.
Ata kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.
Nga bisedat e përgjuara, të përfshira në fashikullin e procedimin penal ka rezultuar se përmes veprimeve të tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të përfitimeve të parregullta kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve.
Për personat e pandehur Alqi Hajdini, i cili në kohën e kryerjes së veprimeve mbante detyrën si jurist i ALUIZNI Tirana Jug dhe më pas ASHK Tirana Jug dhe shtetasi Ylli Baruti, në rolin e ndërmjetësit, kanë konsumuar elementët e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodi Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021), pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit të drejtperdrejtë të përfitimeve të parregullta apo shpërblim në te holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Lidhur me këtë hetim, janë veçuar aktet në procedimin penal nr.100/1 të vitit 2020 për persona të tjerë të përfshirë në këto aktivitete të paligjshme./report