I mituri që qëlloi me thikë për vdekje bashkëmoshatarin e tij u la në masën “arrest në burg”.
Gjyqtarja Lorena Çabej e gjykatës penale mbërriti në një spital privat mëngjesin e kësaj të premteje, ku edhe i komunikoi masën e sigurisë.
Seanca zgjati vetëm pesë minuta, ndërsa organi i akuzës u përfaqësua nga prokurorja Alma Felaj.
Mario Përlleshi ndodhet në spital, ku po merr mjekime pasi mbeti edhe vetë i plagosur, por ende nuk është zbardhur sesi përfundoi i prerë edhe vetë me thikë në krah.
Pasi të përfundojë mjekimet e nevojshme, adoleshentit do t’i duhet të shkojë në paraburgimin e Institutit të të Miturve në Kavajë, deri në një vendim përfundimtar.
Të enjten prokurorja Felaj e rikualifikoi veprën penale, nga “vrasje me dashje” siç ishte referuar nga policia në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” duke i rënduar pozitën përballë ligjit.
Ai mund të rrezikojë një dënim deri në 17 vite burg.
Mësohet se grupi hetimor është rikthyer ditën e djeshme në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku dyshohet se autori është larguar me vrap me shokët dhe kushërinjtë e tij.
Kamerat janë sekuestruar pasi dyshohet se ka pasur persona të tjerë që kanë marrë autorin dhe e kanë larguar nga vendngjarja.
Kujtojmë se rasti tragjik i vrasjes së adoleshentit ndodhi 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.
Pas një konflikti mes adoleshentëve, mbeti i vrarë Martin Cani dhe u plagos shoku i tij, gjë që ngriti alarmin e sigurisë në shkolla.