Pas gjysmë shekulli, Eugenio Montale rikthehet në qendër të vëmendjes, jo për poezinë, por për prapaskenat që çuan në fitimin e Çmimit Nobel për Letërsinë 1975. Akademia Suedeze ka deklasifikuar procesverbalet e atij viti, duke zbuluar se çmimi ishte fillimisht i bllokuar dhe u zgjidh vetëm pas një kompromisi mes jurisë.

Sipas dokumenteve, Montale ishte kandidat prej dekadash, i mbështetur që në vitin 1954 edhe nga T. S. Eliot, por rivalitetet letrare dhe zgjedhjet surprizë të jurisë e kishin lënë jashtë për vite me radhë. Situata ndryshoi në vitin 1975, pas polemikave të forta që shoqëruan fituesit e vitit pararendës, duke e detyruar Akademinë të kërkonte një emër “konsensual”.

Në listë atë vit ishin edhe autorë të mëdhenj si Saul Bellow, Doris Lessing dhe Nadine Gordimer, të gjithë fitues të Nobelit në vitet pasuese. Vendimtare rezultoi ndërhyrja e akademikut Henry Olsson, i cili theksoi se Montale shfaqej vazhdimisht ndër më të votuarit dhe se ishte “i denjë si poet dhe si njeri”.

Procesverbalet tregojnë gjithashtu se distanca e Montalës nga fashizmi dhe evoluimi i stilit të tij poetik u panë si elementë kyç për një çmim që kërkonte të shmangte polemika politike. Vetë Montale, me ironinë e tij të njohur, e përjetoi ceremoninë në Stokholm si një skenë opere, duke mos e marrë kurrë shumë seriozisht famën.

Dokumentet e sapobotuara hedhin dritë mbi një nga vendimet më të diskutuara të Nobelit dhe hapin rrugë për rishikime të tjera historike mbi mënyrën se si janë zgjedhur fituesit ndër vite.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu