Edi Rama festoi ditëlindjen jubilare të 60 vjetorit të tij në kulmin e pushtetit. Rama po ecën i sigurt drejt mandatit të tretë. Por për ditëlindje iu rezervua shija e hidhur e dhuratës që i bëri SPAK.
Mbase rastësisht, prokurorët dhe gjykatësit anti-korrupsion i vendosën prangat Ilir Beqajt, po aq i gjatë sa Rama, por hajdut. Ilir Beqaj u arrestua për korrupsion të provuar ndërsa ishte në betejë ligjore për një tjetër akuzë të rëndë.
Shumë politikanë u trembën këtë të enjte ndërsa nuk e fshihnin aspak shqetësimin kur panë se si miku i tyre u arrestua.
Mbrojtja e dobët që i bëri Erion Braçe duke kërkuar paritet me të djathtët për arrestime dukej si një përpjekje qesharake për të hapur portën e akuzave politike kundër SPAK nga e majta. Reagimi i Spiropalit ishte i një personi të zënë në hall të madh.
Por reagimi më në siklet ishte ai i Edi Ramës. Vetëm heshtje, as batuta me mollë e dardha.
Torta e hidhur që i dhuroi SPAK gjithë qeverisë nuk i ëmbëlsoi as ata në opozitë të cilëve ju ra alibia me akuza politike për SKAP-in e partisë. Jo vetëm Berisha apo Basha por edhe rishtarët pa shumë peshë nuk arrijnë ta përtypin mirë tortën e SPAK.
Jehona e arrestimit të së enjtes do vijojë shumë gjatë dhe rrezikon që zyrtarët e vegjël ose “prestanomet” e bizneseve të politikës të mendojnë më parë për kokën e tyre se sa paratë e shefave të cilët nuk qenkan dhe aq të paprekshëm.
Sëpata e SPAK po pret fort nga të gjitha anët dhe me gjasa Ilir Beqaj nuk do jetë i vetëm në qeli.
Emra të tjerë anëtarë qeverie, kryebashkiakë apo drejtues të lartë të opozitës do ta ndjekin nga pas.
Kush e ka radhën?
Në dyert e SPAK janë parë shumë ministras dhe prokurorët po hetojnë për disa prej tyre. Dhe jo vetëm majtas ,por edhe djathtas.
Vera që sapo ka nisur pritet të jetë shumë më e nxehtë dhe krizat e ankthit nga SPAK janë e keqja më e vogël./Mespec.al