Posta Shqiptare ka paralajmëruar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm ndaj mesazheve të paidentifikuara që shpërndahen në emër të saj dhe që synojnë të mashtrojnë përdoruesit përmes linqeve të dyshimta.

Në adrese të disa qytetarëve kanë mbërritur mesazhe të tilla si: “Paketa juaj ka mbërritur në magazinën tonë lokale, por nuk është dorëzuar për shkak të një adrese të gabuar të dorëzimit ose informacionit të paplotë. Ju lutem konfirmoni adresën e saktë nëpërmjet lidhjes më poshtë, përndryshe paketa do të kthehet pas 24 orësh”.

Përmes një njoftimi zyrtar, Posta Shqiptare u bën thirrje klientëve të saj që të mos bien pre e këtyre skemave të rrezikshme.

“Nëse haseni me mesazhe të tilla, ju lutem mos klikoni asnjë link dhe mos jepni asnjë informacion personal, pasi ekziston rreziku që të dhënat tuaja të vidhen,” thuhet në njoftimin e Postës, e cila distancohet plotësisht nga çdo komunikim i tillë mashtrues.

Posta Shqiptare thekson se komunikimet zyrtare me klientët kryhen vetëm përmes kanaleve të saj të verifikuara dhe u kërkon qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë institucioneve përkatëse.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu