Portugalia vuan, por fiton në premierën e EURO 2024, me skuadrën e Martinez që vuajti përballë Çekisë dhe fitoi 2-1 me përmbysje në ndeshjen e Grupit F, që ishte edhe e fundit për raundin e parë të fazës së grupeve.
Në pjesën e parë, Portugalia diktoi ritmin dhe kundërshtarin në çdo aspekt, por goli rezultoi mision i pamundur, ndërkohë që momenti më i mirë ishte i Cristiano Ronaldos në minutën e 33-të, por sulmuesi i Al-Nassr nuk ia doli të gjente rrjetën.
39-vjeçari ndezi pjesën e dytë me një goditje dënimi në minutën e 58-të, por Stanek kontrolloi gjithçka, teksa në minutën e 62-të çekët surprizuan. Provod realizoi një prej golave më të bukur të raundit të parë, me 27-vjeçarin që tronditi portugezët me një goditje nga distance, duke përkthyer në gol pasimin e Coufal dhe duke mposhtur portierin Costa.
Por, avantazhi dhe festa e Çekisë zgjati pak, pasi në minutën e 69-të Stanek gaboi në dalje dhe Hranac dërgoi topin ne portën e tij me protagonizmin e Nuno Mendes.
Një gol dhe moment që vendosi në lëvizje portugezët, me skuadrën e Martinez që rrezikojë vazhdimisht portën e Stanek, teksa dhjetë minuta nga fundi Soucek i shkoi pranë golit dhe kërcënoi portën e Costa-s.
Portugalia gjeti golin e avantazhit në minutën e 87-të, kur Diogo Jota përfitoi nga kaosi dhe shkundi rrjetën e çekëve, por në fund goli i sulmuesit u anulua, pasi Ronaldo ishte më parë në pozicion të parregullt.
Gjithsesi, goli i fitores vonoi, por nuk mungoi dhe heroin e bëri Francisco Conceicao, me 21-vjeçarin që në prekjen e parë gjeti rrjetën dhe i dhuroi fitoren portugezëve në limite, në një ndeshje shumë të vështirë.
Tashmë, Portugalia pozicionohet në vendin e dytë me tre pikë, po aq sa Turqia, teksa Çekia pozicionohet në vendin e tretë, pa pikë ashtu si Gjeorgjia. Supersport