
Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur një rast të tentativës për trafikim të municionit dhe mosdeklarim të valutës, duke arrestuar në flagrancë një 55-vjeçar nga Tirana.
Gjatë kontrolleve të intensifikuara në hyrje/dalje të portit, të bazuara edhe në informacione operative, shërbimet e policisë bllokuan një kamion të drejtuar nga shtetasi K. A., në kabinën e të cilit u gjetën të fshehura:
- 1000 fishekë arme gjahu,
- një armë gjahu,
- rreth 20 000 euro të padeklaruara.
Sendet e sekuestruara, së bashku me kamionin, pasaportën dhe celularin e të arrestuarit, u dorëzuan si prova materiale.
Shtetasi 55-vjeçar u ndalua për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Ky operacion është pjesë e kontrolleve intensive që Policia Kufitare po zhvillon për parandalimin e krimeve kufitare dhe trafikimeve të paligjshme.