
Falë një ndërhyrjeje të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, dy turiste kroate, I. K. dhe I. Sh., u shpëtuan nga rreziku i mbytjes në det në Plazhin e Velipojës.
Ngjarja u sinjalizua nga një francez i cili kërkoi ndihmë duke mbërritur me not pranë bregut. Ai tregoi se dallgët e forta kishin larguar mjetin lundrues të turisteve drejt thellësisë.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan menjëherë shërbimet e Policisë Velipojë, Posta Kufitare dhe Policia Malazeze, e cila kontribuoi me një helikopter dhe një mjet lundrues. Falë veprimit të koordinuar, turistet u nxorën të sigurta dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në Ulqin, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin falënderojnë Policinë Malazeze për reagimin e shpejtë dhe mbështetjen në këtë operacion shpëtimi.