
Pas rreth dy orësh qëndrimi para Kryeministrisë, protestuesit e opozitës u zhvendosën mbrëmjen e sotme drejt godinës së Kuvendit. Në të njëjtën kohë, efektivë të Policisë së Shtetit u panë duke vrapuar për të rrethuar Parlamentin, me qëllim shmangien e përplasjeve të mundshme.

Lëvizja e protestuesve erdhi menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas raportimeve, në momentet e fundit të protestës para Kryeministrisë janë hedhur bomba molotov dhe sende të forta në drejtim të godinës, ndërsa policia ndërhyri duke shpërndarë turmën me ujë dhe gaz lotsjellës.

Pas largimit të protestuesve, zona përpara Kryeministrisë u rrethua me shirit sigurie dhe u cilësua si “skenë krimi” nga autoritetet, ndërsa forcat e rendit vijuan kontrollin e situatës.
Ndërkohë, një incident është shënuar mes deputetit të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, dhe forcave të policisë. Sipas burimeve, tre të rinj janë shoqëruar nga policia, ndërsa në pamjet video dëgjohet deputeti Xhaferri duke iu drejtuar efektivëve me thirrje që të mos i prekin protestuesit.
Situata mbetet dinamike, ndërsa policia ka forcuar masat e sigurisë përreth institucioneve kryesore në qendër të Tiranës.



