
Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para godinës së Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Sipas policisë, efektivët e dëmtuar po marrin ndihmë mjekësore dhe janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe nga Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Në njoftim thuhet se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të policisë, të transmetuara përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, protestuesit kanë vijuar veprimet e dhunshme. Për këtë arsye, forcat e rendit janë detyruar të ndërhyjnë për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
View this post on Instagram
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të policisë.
Policia bën me dije se vijon analiza e pamjeve filmike, me qëllim identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe shoqërimin e tyre. Deri në këto momente, janë shoqëruar 23 persona, ndërsa gjatë verifikimeve ka rezultuar se njëri prej tyre është i mitur.
Sipas policisë, prindërit e të miturit janë njoftuar menjëherë dhe ai ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, pa u shoqëruar në dhomat e shoqërimit, deri në momentin që është marrë nga prindërit e tij.



