
Policia sposton me mjet ngritës, 17 automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, që kishin bllokuar lëvizjen në zonat e ish-parkut të autobusave dhe 21 Dhjetorit”.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndëshkojnë me masë administrative 3000 lekë, secilin prej drejtuesve të këtyre automjeteve.
Pas denoncimeve të qytetarëve, se automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, kishin penguar lëvizjen e tyre dhe të mjeteve në këto dy zona, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shkuar në terren, për të verifikuar secilin rast.
Në vijim të veprimeve procedurale, janë spostuar me mjet ngritës, automjete, të cilat janë transportuar në ambientet e këtij komisariati. Për secilin rast shërbimet e Policisë Rrugore kryen verifikimet dhe ndëshkuan drejtuesit e automjeteve, me nga 3000 lekë masë administrative.
View this post on Instagram
Kontrollet për këtë paligjshmëri, por dhe për paligjshmëri të tjera në fushën e qarkullimit rrugor, vijojnë në të gjithë territorin e kryeqytetit.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të mos parkojnë në vende ku bllokojnë lëvizjen e qytetarëve apo mjeteve të tjera. Gjithashtu, apelon për qytetarët që të denoncojnë çdo rast të tillë, pasi reagimi i Policisë do të jetë i shpejtë dhe konform ligjit.