
Një incident i pazakontë ka tronditur Jerusalemin gjatë festimeve të së Dielës së Palmave. Policia izraelite ka bllokuar hyrjen e Patriarkut Latin të Jerusalemit, kardinalit Pierbattista Pizzaballa, në Kishën e Varrit të Shenjtë, duke e penguar të mbajë meshën në një nga vendet më të shenjta të krishterimit.
Sipas autoriteteve kishtare, kardinali dhe kleriku Francesco Ielpo u ndaluan jashtë kishës, e cila besohet të jetë vendi i kryqëzimit dhe ringjalljes së Jezu Krishtit. Kjo është hera e parë në shekuj që një Patriark Latin nuk lejohet të hyjë në këtë objekt gjatë kësaj dite të rëndësishme për besimtarët.
Vendimi i policisë vjen në një moment tensioni të lartë sigurie, pas sulmeve të fundit iraniane. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kufizimet janë vendosur për arsye sigurie dhe për të mbrojtur besimtarët, duke u kërkuar njerëzve të të gjitha feve të shmangin vizitat në vendet e shenjta të qytetit të vjetër.
Megjithatë, masa ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Patriarkana e Jerusalemit e cilësoi vendimin si “një precedent të rëndë” dhe një shkelje të lirisë së besimit. Edhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, e quajti veprimin “të vështirë për t’u kuptuar dhe justifikuar”.
Reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga liderët europianë. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi këtë veprim si fyerje ndaj besimtarëve, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi garantimin e lirive fetare në Jerusalem.
Ndërkohë, Papa Leo XIV, gjatë një mesazhi nga Roma, shprehu solidaritet me të krishterët në Lindjen e Mesme që, sipas tij, po vuajnë pasojat e konfliktit dhe nuk mund të praktikojnë lirshëm ritet fetare.
Autoritetet izraelite kanë bërë të ditur se po punojnë për një zgjidhje që do të lejojë zhvillimin e riteve të Javës së Shenjtë në ditët në vijim.



