
Tetë persona, mes tyre gjashtë fëmijë, humbën jetën pas një sulmi me armë në shkollën Tumbler Ridge Secondary School në provincën British Columbia, Kanada. Ngjarja la gjithashtu 25 të plagosur, ndërsa policia konfirmoi se autori i dyshuar është 18-vjeçari Jesse Van Rootselaar.
Mes viktimave janë një mësuese 39-vjeçare, tre nxënëse 12-vjeçare dhe dy nxënës, 12 dhe 13 vjeç. Dy viktima të tjera – një grua 39 vjeç dhe një djalë 11-vjeçar – u gjetën të pajetë në një banesë pranë shkollës dhe, sipas policisë, ishin nëna dhe njerku i autorit.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari vdiq nga një plagë që besohet të jetë vetëshkaktuar. Në vendngjarje u gjetën dy armë zjarri, ndërsa hetuesit thonë se ende nuk dihet motivi i sulmit.
Policia kishte shkuar disa herë në banesën e familjes gjatë viteve të fundit për shqetësime që lidhen me shëndetin mendor të të riut, ndërsa disa ndërhyrje kishin të bënin edhe me armë.
Ngjarja besohet se nisi fillimisht në banesë dhe më pas autori u drejtua për në shkollë. Forcat e rendit mbërritën brenda pak minutash nga njoftimi për një person të armatosur dhe evakuuan mbi 100 nxënës dhe anëtarë të stafit.
Shumica e viktimave ishin shumë të rinj, të lindur në vitet 2012 dhe 2013, ndërsa komuniteti lokal ka ngritur hapësira mbështetëse me specialistë të shëndetit mendor për familjet e prekura.






