Dhjetëra emigrantë që përpiqeshin të kalonin Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar me varka të vogla janë ndaluar nga policia franceze, pak para se të niseshin. Dy grupe emigrantësh, shumë prej të cilëve mbanin veshur jelekë shpëtimi, po nxitonin për të hypur në varka, por autoritetet franceze i prenë shpresat e tyre në momentin kur përdorën thika për të çarë varkën.

BBC shkruan se në total ishin 80 deri në 100 persona dhe varka e parë me emigrantë e cila kishte kaluar rreth 100 metra larg bregut, ishte e pamundur për tu ndaluar nga policia franceze.

Ndërsa varka e dytë erdhi bosh në bregdet dhe më pas emigrantët, të kapur për dore, u drejtuan drejt varkës nën drejtimin e një burri që koordinonte operacionin. Sipas BBC në fillim, policia refuzoi të ndërhynte dhe qëndroi në breg, duke vëzhguar, pasi autoriteteve u ndalohet të futen në ujë përveç rasteve për të shpëtuar njerëz.

Por këtë herë situata doli jashtë kontrollit kur varka, plot me burra, gra dhe fëmijë, u lëkund në mënyrë të rrezikshme për shkak të dallgëve dhe motit të keq. Njëri nga oficerët u tha kolegëve të tij të hynin në ujë, pasi ata që ishin në varkë ishin tani në rrezik. Ata përdorën thika për ta copëtuar varkën, ndërsa kontrabandistët u përpoqën ta ndiznin motorin e varkës për të ikur.

Mes britmave dhe trishtimit, pasagjerët arritën në breg pa lëndime. Pak më vonë, oficerët e nxorën varkën e coptuar në breg dhe emigrantët mblodhën atë që kishin lënë pas. Autoritetet franceze theksuan se rregullat mbeten të njëjta dhe se taktikat e tyre kundër përpjekjeve të kalimit të paligjshëm nuk kanë ndryshuar, pavarësisht presionit nga Britania për masa më të rrepta./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu