Tiranë – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar zyrtarisht pas një lajmi të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se një automjet i drejtuar nga një punonjës policie kishte përplasur një biçikletë në rrugën “Myslym Shyri” dhe kishte kryer manovra të rrezikshme në trafik.

Në sqarimin zyrtar, Policia thekson se pas verifikimeve të kryera menjëherë pas publikimit të lajmit, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit ishte një qytetar i zakonshëm dhe jo një efektiv policie.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të datës 4 korrik 2025, ku shtetasi S. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur biçikletën me të cilën udhëtonte shtetasi D. B., 29 vjeç, banues gjithashtu në Tiranë.

I dëmtuari ka marrë ndihmë mjekësore dhe më pas është larguar në banesë, pa rrezik për jetën.

Pas hetimeve paraprake, Specialistët e Policisë Rrugore kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për drejtuesin e mjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Krahas procedimit penal, ai është ndëshkuar edhe administrativisht me një sërë masash të ashpra:

  • Gjobë prej 58 000 lekësh,
  • Bllokim të automjetit,
  • Tërheqje të lejes së drejtimit,
    për shkelje të disa neneve të Kodit Rrugor, përfshirë nenet 72, 79, 152/1/a, 191/1, 191/2 dhe 203/1.

Policia e Tiranës falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të ligjit, duke garantuar një reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu