Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar lidhur me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 gjatë tubimit të mbajtur ditën e sotme në kryeqytet.

Sipas Policisë, gjatë veprimeve të shërbimeve për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë. Për këtë arsye, ai është shoqëruar për verifikim, nga ku ka rezultuar se ishte 14 vjeç.

Në reagim theksohet se i mituri nuk është mbajtur në asnjë moment në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe është trajtuar në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit.

Policia bën me dije se 14-vjeçari është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit të tij ligjor.

Ndërkohë, për veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, është njoftuar Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, të cilat do të kryejnë verifikimin e plotë të rastit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu