
Policia e Shtetit ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike në Tiranë, duke bërë me dije se 6 punonjës policie kanë mbetur të lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar, të dëmtuarit janë efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore. Ata po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT, ndërsa gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën të ditur se gjatë tubimit, i cili u përshkallëzua në akte dhune, një pjesë e protestuesve kanë sulmuar forcat e rendit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike.
Gjithashtu, sipas autoriteteve, përmes Qendrës së Zërit u janë bërë thirrje të vazhdueshme pjesëmarrësve që të shmangin dhunën, por këto thirrje nuk janë respektuar nga një pjesë e tyre.
Policia thekson se kishte marrë masa për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe mbrojtjen e institucioneve, ndërsa mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Në përfundim, Policia e Shtetit dënon ashpër aktet e dhunës ndaj efektivëve në krye të detyrës dhe ndaj institucioneve shtetërore.



