
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të mos rënë pre e mashtrimeve online, të cilat shpesh paraqiten si mundësi investimi me fitim të shpejtë, veçanërisht përmes skemave piramidale dhe investimeve në kriptomonedha.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, po vijon hetimet e operacionit “XUEX” për zbardhjen dhe ndëshkimin ligjor të autorëve dhe agjentëve që kanë organizuar këto skema mashtruese online. Gjithashtu, po ndjeken dhe dokumentohen lëvizjet e kriptovalutave të përdorura në këto aktivitete kriminale.
Pavarësisht goditjeve të Policisë, grupet kriminale vazhdojnë të përdorin forma të reja mashtrimi online. Është konstatuar se në platforma komunikimi si “Viber” dhe “Telegram” po qarkullojnë grupe që ofrojnë “mësime falas” mbi kriptomonedhat, me qëllim të fitojnë besimin e qytetarëve dhe më pas t’i nxisin ata të investojnë në platforma mashtruese.
Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë humbur para në platforma si “Xuex”, “Txex” apo të ngjashme, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ose në sektorin për Hetimin e Krimit Kibernetik në çdo drejtori vendore të Policisë, për të denoncuar rastet.
Denoncimet janë thelbësore për dokumentimin e plotë të këtyre aktiviteteve dhe për mbrojtjen e qytetarëve të tjerë nga mashtrimet online.