Mes flakëve dhe frikës që automjeti mund të shpërthente, efektivi Klajdi Mustaj, i cili u kthye në një hero për jetën e katër qytetarëve, ndërmori rrezikun dhe ndërhyu për të shpëtuar të askdientuarit e një dite më parë në aksin Fier-Levan.

Pa mjetet e nevojshme, vetëm me një fikse zjarri të vogël, 26-vjeçari i cili prej 18 muajsh qëndron në radhët e uniformave blu, nxori nga automjeti dhe i largoi në krahë një për një të gjithë të aksidentuarit.

Gjatë ndërhyrjes, edhe vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal deri sa të gjithë shpëtuan nga rreziku. Fillimisht, ashtu si dhe Klajdi ka pohuar së fundmi për Euronews, nxori fëmijën e mitur dhe më pas tre personat e tjerë.

I emocionuar, ai tha se ky reagim i menjëhershëm i tij i erdhi natyrshëm ndërkohë që lutjet e tij shkuan për fëmijën i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.

“Sapo kisha përfunduar shërbimin dhe po kthehesha për në shtëpi kur papritur pashë makinën që po rrotullisej disa herë derisa u përplas në pemë. Pashë makinën të shpërthente në flakë dhe menjëherë, aty kam pasur një fikse zjarri në makinën time dhe kam shkuar për të fikur flakët. Kam nxjerrë fëmijën të parin nga makina, aty u riaktivizua flaka në mjet.

Pastaj kam marrë personat e tjerë dhe i kam nxjerrë poshtë. Jam i emocionuar që kur pashë fëmijën në atë gjendje. Kam njoftuar menjëherë sallën e komandimit të Fierit dhe ka ardhur menjëherë zjarrfikësja dhe autoambulanca në vendngjarje.

Ne jemi të trajnuar në punën që bëjmë dhe kemi qetësinë e duhur edhe pse ndonjëherë të rrëmben situata, por kjo mendoj që është më shumë një dhunti. Gjendja ime është shumë mirë nuk kam probleme, përveç disa djegieve të lehta por i lumtur që shpëtova të lënduarit”, tha polici 26-vjeçar, ndërkohë që më tej falënderoi kryepolicin, Ilir Proda për vlerësimin që i dha duke e konsideruar si një dhuratë dhe shtysë për të treguar më shumë profesionalizëm qoftë nën uniformën e policit, por edhe jashtë saj.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin policin hero teksa futej në makinën e përmbysur dhe nxirrte personat e plagosur.

Klajdi Mustaj është nga Mallakastra dhe prej 18 muajsh është pjesë e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ndërkohë prej dy muajsh shërben si efektiv i Policisë Rrugore në këtë qark. Ai është gjendur rastësisht në vendngjarje, në Qafën e Koshovicës dhe menjëherë ka ndërhyrë.

26 vjeçari ka përfunduar me sukses studimet dhe është mes qindra të rinjve që janë përfshirë në strukturat e Policisë së Shtetit, me dëshirën dhe pasionin për t’i shërbyer Shqipërisë dhe qytetarëve të vendit. Ai është diplomuar në degën “Kriminalistikë dhe Dedektiv” në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës./tema

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu