
Ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit, ku u gjet e pajetë në banesën e saj 52-vjeçarja Kozeta Teço, po hetohet tashmë si një ngjarje kriminale.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se zjarrvënia dyshohet të ketë qenë e qëllimshme dhe pista kryesore mbi të cilën po punohet është ajo e një konflikti për motive pronësie. Ekspertët mjeko-ligjorë që kanë kryer këqyrjen paraprake të trupit të viktimës kanë konstatuar shenja të jashtme dhune, çka forcon dyshimet se ajo është vrarë përpara se banesa të përfshihej nga flakët.
Në vendngjarje janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të dy objekteve pranë pallatit ku ndodhej banesa e viktimës. Po ashtu, disa persona janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe po merren në pyetje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia ka shoqëruar në banesën ku ndodhi ngjarja një person që dyshohet se mund të jetë autori i vrasjes së dyshuar të 52-vjeçares K.T.
I riu është shoqëruar për të bërë eksperimentin hetimor. Dyshimet janë se i riu ka patur lidhje intime me viktimën.