
Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së shtunës qytetin italian të Fontanafredda, ku një shtetas shqiptar, Vladimir Topjana, 43 vjeç, u vra me armë zjarri gjatë një konflikti me një bashkatdhetar.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 pranë “Bar Sporting”, një lokal i njohur në zonë dhe vendtakim i tifozëve të klubit të Milanit. Viktima, banues në Cordenons dhe me profesion shofer në një kompani në Porcia, ndodhej në lokal për të ndjekur ndeshjen mes Romës dhe Juventusit, i shoqëruar nga djali i tij 17-vjeçar.
Dëshmitarët raportojnë se gjithçka nisi pas një debati verbal mes Topjanës dhe një 30-vjeçari tjetër, gjithashtu shqiptar. Përpjekjet e klientëve për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit rezultuan të kota. Autori, në kulmin e debatit, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë drejt Topjanës, duke e goditur fatkeqësisht edhe në kokë, çka rezultoi fatale për jetën e tij.
Menjëherë pas krimit, agresori është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Audi” të bardhë, ndërsa autoritetet nisën një operacion të gjerë kërkimi në gjithë zonën e Pordenones.
Falë reagimit të shpejtë të karabinierëve, ai u lokalizua dhe u arrestua disa orë më vonë, rreth mesnatës, në zonën e Orsagos.
Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë po vijojnë nga autoritetet italiane./euronews