
Tensione janë regjistruar këtë të martë para Bashkisë së Durrësit, ku banorë të lagjeve nr. 7 dhe 8 dolën në protestë kundër shpronësimeve që pritet të realizohen në kuadër të projektit infrastrukturor “Lidhja e Currilave me rrugën ‘Aleksandër Goga’”.
Të revoltuar, qytetarët kërkuan zgjidhje për banesat e tyre dhe tentuan të hynin në godinë për të ndalur mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke u përplasur me forcat e policisë.
“Nuk ka mbledhje, mos guxoni! Dilni nga mbledhja. Duhet t’ju vijë turp,” dëgjohet të thotë një prej protestuesve.
Tentuan të hyjnë me forcë, bllokohet rruga
Banorët u shprehën se rrezikojnë të mbeten pa strehë, ndërsa disa prej tyre tentuan të futeshin me forcë në ambientet e bashkisë.
“Po dalim nga shtëpitë,” deklaruan ata, teksa situata u tensionua për disa minuta.
Protestuesit bllokuan përkohësisht edhe rrugën përpara bashkisë, ndërsa policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës dhe normalizimin e qarkullimit.
Kundërshtojnë vlerën e kompensimit
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, një nga pikat kryesore të rendit të ditës lidhej pikërisht me shpronësimin e banesave që do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.
Banorët pretendojnë se nuk janë njoftuar më herët për prishjen e shtëpive dhe kundërshtojnë vlerën e kompensimit, duke argumentuar se me shumën e ofruar nuk mund të blejnë një banesë tjetër.
Ata i bëjnë thirrje bashkisë që fillimisht t’u sigurojë strehim dhe më pas të vijojë me procedurat e projektit.
Çfarë thotë Bashkia?
Sipas autoriteteve vendore, është miratuar në parim një fond prej 867,776,164 lekësh për pasuritë private që preken nga investimi publik.
Në total janë evidentuar 131 pronarë, privatë dhe shtetërorë, për të cilët është përcaktuar vlera e shpronësimit.
Situata mbetet e ndjeshme, ndërsa pritet që debatet mes banorëve dhe institucioneve të vijojnë për mënyrën e zbatimit të projektit dhe kompensimin financiar.






