
Më shumë se 12 orë pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Tiranë, policia ende nuk ka identifikuar apo arrestuar ndonjë autor. Nga sulmi mbetën të plagosur katër persona, përfshirë dy të mitur: djali dhe nipi i pronarit të një kompanie sigurimi private.
Ngjarja nisi pasditen e djeshme, kur të rinjtë ishin nisur drejt fshatit Pjezë në Shijak për të festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit Demiraj, djalit të pronarit. Ata ishin shoqëruar nga një shok i tyre, Kian Mullahi, dhe ishin transportuar nga shoferi i familjes me një automjet luksoz tip G-Class me targa AB002MD, në pronësi të Vesel Demirajt.
Mësohet se autorët dyshohet se ishin 3 persona dhe udhëtonin me një automjet tip fuoristradë, të cilët pas ngjarjes kanë ikur në drejtim të paditur, raporton Euronews Albania.
Ata e kanë ndjekur mjetin tip G-Class që nga rrethrrotullimi i Shkozës dhe kanë hapur zjarr drejt tyre në zonën e Tregut Agroushqimor, duke i ndjekur deri në afërsi të një qendre tregtare në Lundër.
Pas përfundimit të festës, grupi ishte nisur për në banesat e tyre në Lundër, për të vijuar festimet me familjarët. Por gjatë kthimit në Tiranë, në zonën e Unazës, u bënë objekt i një atentati të armatosur. Një makinë i kishte zënë pritë dhe i kishte ndjekur, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.
Hetuesit ende nuk kanë një pistë konkrete për këtë ngjarje të rëndë, por dyshohet që autorët mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër pa e ditur se cilat persona po udhëtonin brenda në automjetin G-Class që e kishin nën shënjestrën e tyre.
Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të të rinjve të plagosur pas ngjarjes të cilët te tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr.
Të plagosurit u transportuan me automjete private drejt spitalit. Mësohet se shoferi 34-vjeçar dhe 19-vjeçari Kian Mullahi janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 17-vjeçari është në gjendje të qëndrueshme. Fatkeqësisht, 11-vjeçari ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore.
19-vjeçari Kian Mullahi jeton në Angli dhe kishte ardhur për pushime në vend.