
Një incident me armë zjarri ka tronditur Shkodrën pasditen e së hënës, ku një person dyshohet se qëlloi në ajër për të kërcënuar policinë dhe më pas u arratis.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10 në lagjen “Guerrile”, ku shërbimet e policisë ndaluan një automjet gjatë patrullimit në zonë. Nga hetimet rezulton se makina drejtohej nga Ervis Baba, 43 vjeç, ndërsa në të udhëtonin edhe një 17-vjeçar dhe Barush Bregu, 40 vjeç.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit për ndalim, por përshpejtoi dhe kreu manovra të rrezikshme, duke detyruar efektivët të vihen në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për t’u larguar, Barush Bregu dyshohet se ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar me pistoletë në ajër, me qëllim kanosjen e punonjësve të policisë, përpara se të arratisej.
Policia arriti të arrestojë 43-vjeçarin dhe të miturin, ndërsa Bregu është shpallur në kërkim. Ai rezulton me precedent penal për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh si dhe vjedhje.
Gjatë kontrolleve në vendngjarje, uniformat blu sekuestruan armën e zjarrit me municion, e dyshuar se është përdorur nga 40-vjeçari, si dhe automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin lëviznin.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës, për veprat penale:
- “Kanosja”
- “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”
- “Prishja e qetësisë publike”
- “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”
- “Moskallëzimi i krimit”.
Autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e 40-vjeçarit.






