
Një incident i rëndë është shënuar sot rreth orës 13:40 në plazhin e Gjipesë, Himarë, ku një shtetas gjerman është plagosur gjatë një zhytjeje pranë një mjeti lundrues.
Sipas informacionit paraprak, 27-vjeçari K. V., banues në Orikum, duke drejtuar një gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, dyshohet se ka dëmtuar aksidentalisht shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani, i cili ndodhej duke u zhytur në afërsi të gomones.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Dhërmi kanë reaguar menjëherë pas njoftimit, duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas duke organizuar transportimin e tij të menjëhershëm drejt spitalit për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, drejtuesi i gomones është shoqëruar në Stacionin e Policisë Dhërmi, bashkë me disa dëshmitarë të ngjarjes, me qëllim sqarimin e rrethanave.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.