
Pogradec, 10 nëntor 2025 – Tension dhe përplasje fizike janë regjistruar sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, menjëherë pas miratimit të pikës së gjashtë në rendin e ditës, që lidhej me “miratimin e listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 hektarësh në Çërravë që mund të jepen me qira”.
Vendimi, i cili u miratua me 20 vota pro, ka shkaktuar debate të ashpra mes këshilltarëve dhe kundërshtime të menjëhershme nga një grup banorësh të pranishëm në sallë. Situata ka degraduar në përplasje fizike pas mbylljes së votimit.
Përplasje pas vendimit
Sipas burimeve nga vendngjarja, këshilltari Engjëll Shyti është ngritur nga tavolina dhe është konfrontuar fizikisht me Kevi Muçellarin, një prej banorëve të Çërravës që kundërshtonte vendimin. Përplasja ka ndodhur përpara pjesës tjetër të këshilltarëve dhe është shoqëruar me ndërhyrjen e stafit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
View this post on Instagram
Ndërhyrja e policisë
Pas incidentit, në ambientet e Këshillit Bashkiak ka mbërritur policia, e cila ka bërë shoqërimin e dy personave të përfshirë në konfrontim për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe jashtë sallës së mbledhjes, ku banorë të Çërravës shprehën pakënaqësi ndaj mënyrës së miratimit të vendimit dhe kërkuan që ai të rishikohet.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi incidentin apo mbi ecurinë e mëtejshme të projektit për dhënien me qira të tokave në Çërravë.




