SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur deputetin e PS-së Plarent Ndreca. Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

yacht hotel sarande

Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.

Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.

SPAK deklaron se ditën e sotme të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë”, deklaron SPAK./shekull

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu