جارد كوشنر وصفقة القرن

Ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, njëkohësisht dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, po bashkëpunojnë për një plan që synon menaxhimin e situatës në Gaza pas përfundimit të luftës, raportoi kanali izraelit Channel 12.

Sipas burimeve të këtij televizioni, Blair dhe Kushner kanë punuar prej disa muajsh me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, për të ndërtuar një plan konkret që do t’i prezantohej Donald Trump në një takim të mundshëm në Uashington. Qëllimi është gjetja e një rruge diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez, i cili ka shkaktuar shkatërrim të gjerë në Rripin e Gazës dhe një krizë humanitare në përshkallëzim.

Plani përfshin propozime për një strukturë qeverisëse në Gaza pas luftës, pa praninë e Hamasit, si dhe një program të ri amerikan të ndihmës humanitare, me fokus të veçantë në shpërndarjen e ushqimeve dhe ndihmave emergjente.

Sipas kanalit izraelit, Trump është i mendimit se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt, por gjithashtu beson se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të veprojë sipas vullnetit të tij. Kjo, sipas Trump, nënkupton që SHBA-të duhet të veprojnë me shpejtësi për të mundësuar ndihmën për popullin palestinez.

Ndërkohë, ministri izraelit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, që udhëheq përgatitjet izraelite për “ditën pas”, ndodhet në Uashington për të diskutuar këtë çështje me zyrtarë amerikanë.

Channel 12 vë në dukje një ndryshim të fokusit nga ana e Trump-it, i cili kohët e fundit ka shpenzuar më shumë energji në temën e luftës në Ukrainë, por tashmë po i kthehet dinamikës së Lindjes së Mesme.

Një zyrtar amerikan, në deklaratë për Axios, theksoi se Trump nuk e kundërshton operacionin ushtarak izraelit në qytetin e Gazës, por kërkon që ai të përfundojë shpejt. “Në një farë mënyre, presidenti beson se Bibi (Netanyahu) do të bëjë atë që dëshiron”, u shpreh zyrtari./lapsi.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu