
Një plan i ri për të ardhmen e Gazës po diskutohet në qarqe ndërkombëtare, i ideuar nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, dhe i inspiruar nga modeli i përdorur në Kosovë pas luftës. Sipas burimeve të cituara nga The Economist, plani parashikon ngritjen e një strukture të përkohshme qeverisëse me mandat pesëvjeçar, që do të mbikëqyret nga një organizatë e quajtur GITA.
Në krye të GITA-s do të jetë vetë Blair, i mbështetur nga një sekretariat me 25 anëtarë dhe një bord drejtues prej shtatë personash, i cili do të kontrollojë një organ ekzekutiv përgjegjës për administrimin e territorit. Selia fillestare do të vendoset në El-Arish, Egjipt, një qytet pranë kufirit me Gazën.
Plani synon stabilizimin e territorit dhe më pas transferimin gradual të autoritetit te Autoriteti Palestinez, duke ribashkuar Gazën me Bregun Perëndimor. Për këtë periudhë tranzitore parashikohet edhe prania e një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse.
Në kundërshtim me idetë e hedhura nga administrata e Donald Trump, ky plan nuk parashikon zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza. Kujtojmë se Trump kishte propozuar një projekt të ashtuquajtur “Gaza Riviera”, që përfshinte shndërrimin e bregdetit të Gazës në një zonë me hotele luksoze dhe komplekse turistike, duke lënë të kuptohej se banorët e saj duhej të largoheshin për të mbijetuar.
Së fundmi, ky vizion u rilançua nga Bezalel Smotrich, një nga ministrat më të ashpër të qeverisë së Benjamin Netanyahut, i cili deklaroi hapur:
“Gaza është një minierë ari e pasurive të paluajtshme. Kam filluar negociatat me amerikanët.”
Ky kontrast mes planeve e bën të qartë përplasjen e vizioneve mbi të ardhmen e Gazës – njëra që synon stabilitet politik dhe kthim gradual të vetëqeverisjes palestineze, dhe tjetra që shihet si shfrytëzim ekonomik i territorit pas konfliktit.