Presidenti amerikan, Donald Trump, së bashku me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, prezantuan një plan paqeje 20-pikësh për Gaza, që synon një ndalim të menjëhershëm të luftimeve, lirimin brenda 72 orëve të 20 të burgosurve izraelitë të mbajtur nga Hamas, si dhe kthimin e trupave që besohet se janë të vrarë, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë.

Plani parashikon gjithashtu se Hamas nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës, duke hapur mundësinë për një shtet palestinez në të ardhmen, megjithëse Netanyahu ka përsëritur se mbetet kundër themelimit të tij.

Trump e quajti planin “një ditë historike për paqen” dhe paralajmëroi Hamasin se Izraeli do të ketë mbështetjen e SHBA për të “zhdukur kërcënimin e Hamas” nëse ky i fundit nuk pranon marrëveshjen.

Një komitet teknokrat palestinez, i mbikëqyrur nga një Bord Ndërkombëtar i Paqes, do të qeverisë përkohësisht Gazën. Trump dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair do të jenë pjesë e këtij organi ndërkombëtar, sipas dokumentit të prezantuar.

Liderët e Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite, Katarin, Egjiptin, Jordaninë, Turqinë, Indonezinë dhe Pakistanin, e mirëpritën planin dhe theksuan gatishmërinë për të bashkëpunuar në implementimin e tij.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaruan gatishmërinë për të kontribuar në përfundimin e luftës dhe lirimin e të burgosurve, duke nënvizuar se kjo mund të jetë një hap drejt zgjidhjes me dy shtete.

Plani përfshin gjithashtu një program zhvillimi ekonomik për rindërtimin e Gazës, dhe parashikon që Izraeli të tërhiqet gradualisht, pa okupuar apo aneksuar territorin. Palestinezëve u ofrohet mundësia të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një Gaza më të mirë, sipas dokumentit.

Autoritetet palestineze e vlerësuan planin si “te sinqerte dhe të vendosur” dhe konfirmuan përkushtimin për bashkëpunim me SHBA dhe partnerët rajonalë për t’i dhënë fund luftës dhe për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu