
Policia identifikon dhe shpall në kërkim një 32-vjeçar që plagosi me armë zjarri një shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi Franci Canaj 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin Gerald Hoxha, 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri.
Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.