
Një konflikt i çastit i ndodhur pasditen e sotme në zonën e Plazhit në Durrës ka përfunduar me plagosjen e rëndë të një taksisti.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:35, në lagjen nr. 13, në sektorin “Hekurudha”, ku gjatë një përplasjeje për shkaqe ende të paqarta, dyshohet se 45-vjeçari është goditur me thikë nga persona ende të paidentifikuar.
I plagosuri, Florant Sinanaj, banues në Tiranë, është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka marrë dy plagë shpuese, në gjoks dhe në bark, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.






