
Divjakë – Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Çermë-Sektor, ku një konflikt mes dy shtetasve ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre me mjet prerës (thikë).
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, rreth orës 14:00, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. M., 44 vjeç, banues në Çermë-Proshkë, ka plagosur me thikë shtetasin F. B., 64 vjeç, banues në Çermë-Sektor. I plagosuri është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar. Nga vendi i ngjarjes është sekuestruar edhe mjeti prerës i përdorur për plagosjen.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.