Një plagosje me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Rrilë në Lezhë, ku një 30-vjeçar mbeti i lënduar pas një sulmi të armatosur që dyshohet se kishte në shënjestër një person tjetër.
Sipas informacioneve të raportuara nga A2 CNN, i plagosuri është Sokol Daci, pronar i berberhanes ku ndodhi ngjarja. Dyshohet se ai nuk ka qenë objektivi i atentatit, por është kapur aksidentalisht nga plumbat teksa ndodhej brenda biznesit të tij.
Autorët, të cilët mendohet se lëviznin me makinë, kanë ndaluar para berberhanes në qendër të Rrilës dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
30-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ku sipas të dhënave paraprake ndodhet në gjendje stabël. Ai ka marrë tre plagë – në shpatull, bark dhe këmbë.
Hetimet paraprake po fokusohen te identifikimi i objektivit të vërtetë të sulmit dhe kapja e autorëve, ndërsa policia vijon kontrollet në zonë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu